Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar të martën një takim me gjeneralmajorin Christian Nawrat, Zëvendëskomandant për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).
Takimi u zhvillua në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin (BSC), ku në fokus të diskutimeve ishin prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe avancimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Përmes një njoftimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se Nawrat, gjatë viteve 2024–2025, ka shërbyer si Drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Kosovë, çka sipas tij, i mundëson atij njohje të drejtpërdrejta me zhvillimet në sektorin e mbrojtjes në vend.
Sipas ministrit, gjatë takimit është diskutuar për planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si dhe nismën ligjore për krijimin e Zonës së Industrisë së Mbrojtjes.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte angazhimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5), të cilën Maqedonci e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në strukturat euroatlantike të sigurisë.
Në përfundim, ministri ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimin e sigurisë rajonale./teve1.info/








