Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të nisë kthimin e patentë-shoferëve të marrë përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor prej tetë ditësh i mbajtjes fizike.
Në një sqarim për opinionin publik, Policia ka bërë të ditur se ky veprim vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin është shfuqizuar si i paligjshëm paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.
“Policia, sqaron se ky aktgjykim nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të shqiptuara më parë. Të gjitha këto masa vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme sipas afatit për të cilin janë shqiptuar”, thuhet në njoftim.
Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kësaj mase dënohet me 500 euro gjobë, gjashtë muaj ndalim të drejtimit, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.
PK poashtu thekson se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse përmes evidencave përkatëse./teve1.info/









