Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 21-të, ndërsa studentët dhe të rinjtë vijojnë përpjekjet për të zgjeruar pjesëmarrjen në lëvizjen që kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë. Pas marshimit në disa rrugë të Tiranës, studentët janë vendosur para Kryeministrisë.
Këtë të hënë, një grup të rinjsh është futur në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u është drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Protestuesit kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor dhe përfshirjen e studentëve në protestën që prej tri javësh vijon kundër qeverisë, shkruan RTSH.
Kujtojmë se në javët e para të zhvillimit, protesta u shoqërua edhe me episode të rënda tensioni dhe dhune. Përplasjet mes demonstruesve dhe efektivëve të policisë u shoqëruan me hedhje molotovësh, djegie koshash dhe vënie zjarri në disa institucione.
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjet për dialog, ndërsa protestuesit vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesën për dorëheqje.
Pavarësisht incidenteve dhe thirrjeve të përsëritura të Kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre.










