Një armëpushim disaditor mes Moskës dhe Kievit në qytetin Oleshky, në rajonin Kherson të Ukrainës, i kontrolluar nga Rusia, përfundoi të dielën vonë pa raportime për shkelje nga asnjëra palë.
Armëpushimi, i iniciuar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, kishte për qëllim lehtësimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve. Ai hyri në fuqi të martën dhe u shtri edhe në zonat përreth, për të garantuar kalimin e sigurt të konvojeve humanitare.
Trump deklaroi se marrëveshja u mundësoi banorëve qasje në ushqim, ujë të pastër dhe ilaçe, si dhe “një ndjenjë të ripërtërirë dinjiteti pa kërcënimin e vazhdueshëm të sulmit”.
“Le të bëhet Oleshky pika fillestare për paqe të qëndrueshme”, shkroi ajo në platformën X.
Misioni humanitar përfundoi të premten. Komisionerja ruse për të Drejtat e Njeriut, Yana Lantratova, tha se të dyja palët e kishin respektuar armëpushimin dhe propozoi që iniciativa të tilla të organizohen në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, homologu i saj ukrainas, Dmytro Lubinets, e cilësoi atë si “armëpushimi më i gjatë i vëzhguar nga të dyja palët që nga viti 2022”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se misioni mund të shërbejë si masë për ndërtimin e besimit dhe të kontribuojë në përparimin e procesit të paqes.
“Nëse armiqësitë mund të ndalen në një vend, ato mund të ndalen kudo dhe përgjithmonë. Ukraina është gati. Ne presim të njëjtën gjë nga Rusia”, deklaroi Sybiha.











