Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim shefen e re të Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë, Marian Benbow Pfisterer.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe IOM-it, me theks të veçantë në çështjet e migrimit dhe zhvillimit ekonomik.
Ai ka vlerësuar se migrimi vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ruajtjen e lidhjeve me mërgatën.
“Për Kosovën, migrimi vazhdon të jetë motor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për lidhjet e qëndrueshme me mërgatën.Partneriteti me IOM-in ka rëndësi të veçantë për t’i lidhur përpjekjet e Kosovës me ato të vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit. Përmes këtij bashkëpunimi, Kosova synon të kontribuojë në një qasje të përbashkët rajonale që mbron të drejtat e migrantëve dhe u hap rrugë njerëzve që njohuritë, përvojën dhe lidhjet e fituara përtej kufijve t’i vënë në shërbim të zhvillimit të vendit”, ka shkruar ai.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimit ka qenë barazia gjinore dhe përfshirja e grave në tregun e punës.
Në këtë drejtim, Kurti ka bërë të ditur se e ka informuar shefen e re të IOM-it për lansimin e planifikuar të programit “Super Puna për Gratë”, përmes të cilit synohet të ofrohet mbështetje financiare për punësimin e grave në sektorin privat.
“Me një agjendë të plotë bashkëpunimi për të ardhmen, e përgëzova znj. Benbow Pfisterer për marrjen e detyrës dhe e falënderova IOM-in për partneritetin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës”, ka përfunduar Kurti./teve1.info/







