Aleanca e ka vlerësuar si dështim të radhës së Qeverisë humbjen e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes.
Sipas kësaj partie ky dështim i qeverisë vjen në kohën kur rritja e çmimeve po ndodh çdo ditë.
“Kjo është dëshmia e radhës se Qeveria nuk ka asnjë vizion, dije, punë dhe llogaridhënie. Ky pushtet po shkëlqen vetëm në dështim. Kjo qeveri ka dëshmuar se është e zonja vetëm për një gjë, të shkatërrojë çdo shans për zhvillim dhe t’ia vërë vulën përfundimtare të paaftësisë çdo sektori të jetës në vend”, thuhet nga kjo parti.
Sipas Aleancës humbja e këtyre fondeve është goditje e drejtpërdrejtë ndaj të ardhmes së vendit.
“Të humbësh miliona euro fondesh pa kthim në një nga vendet më të varfra të Evropës nuk është gabim apo vonesë burokratike, është papërgjegjshmëri absolute dhe goditje e drejtpërdrejt ndaj të ardhmes së Kosovës. Për fat të keq, faturën e këtij dështimi total nuk e paguajnë dështakët qeveritar, por qytetarët e Kosovës”, thuhet nga kjo parti.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformues brenda afatit të qershorit 2026.







