Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi të njërit prej operatorëve ekonomik pas procesit të tërheqjes së tyre nga tregu.
Sipas njoftimit të AUV-së, produktet janë asgjësuar më 30 tetor, nën mbikëqyrjen e inspektorëve, ndërsa përfshijnë mish pule, mish gjedhi, mish të grirë dhe produkte të tjera ushqimore.
“Procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera po vazhdon, veçanërisht për produktet tek të cilat janë konstatuar ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut. Produktet e identifikuara si të papërshtatshme për konsum do t’u nënshtrohen masave përkatëse të ndalimit të shitjes, tërheqjes dhe asgjësimit.”,thuhet në njoftimin e AUV-së.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit, përfshirë verifikimin e dokumentacionit të importit, kushteve të ruajtjes dhe zinxhirit të ftohjes./teve1.info/







