Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar arsyetimin e vendimit për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e cila është suspenduar nga ushtrimi i detyrave zyrtare me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër të Këshillit.
Vendimi për suspendimin e saj është marrë më 29 tetor 2026, pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj saj.
Sipas arsyetimit të publikuar nga KPK-ja, kërkesa për hetime disiplinore është bërë pas pranimit të një raporti nga Koordinatori për Dhunë në Familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilin janë evidentuar veprimet dhe mosveprimet e Vuçetajt lidhur me trajtimin e kërkesave të Arlinda Zekajt.
Në dokument thuhet se Vuçetaj, gjatë kohës sa ishte në krye të Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte pranuar vazhdimisht kërkesa nga viktima dhe ishte në dijeni për urgjencën e tyre, përfshirë paralajmërimet se jeta e saj ishte në rrezik.
Po ashtu, sipas arsyetimit, ajo ishte njoftuar për raportet e prokurorëve që kishin trajtuar rastet në të cilat Arlinda Zekaj ishte palë e dëmtuar, si dhe për raportet zyrtare të Policisë lidhur me nivelin e rrezikshmërisë ndaj saj.
KPK-ja thekson se Vuçetaj ishte njoftuar edhe nga vetë Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilat kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të viktimës.
Megjithatë, sipas vlerësimit të autoritetit kompetent, ajo kishte dështuar të ndërmerrte veprimet e nevojshme prokuroriale, duke mos marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se veprimet dhe mosveprimet e dyshuara të kryeprokurores përbëjnë shkelje të mundshme të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, konkretisht të dispozitave që lidhen me mosmarrjen e masave për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së dëshmitarëve dhe palëve të dëmtuara.
“Nuk merr parasysh të drejtat e dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për të marrë masa për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe privatësinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në dispozitën ligjore të cituar në arsyetim.
Më tej, në dokument theksohet se, sipas vlerësimit të autoritetit kompetent, neglizhenca e vazhdueshme në trajtimin e kërkesave urgjente të Arlinda Zekajt kishte çuar deri te pasojat fatale.
Për këtë arsye, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, kishte rekomanduar suspendimin e Vuçetajt, duke e konsideruar këtë masë të nevojshme për shkak të seriozitetit të shkeljeve të dyshuara, si dhe për të garantuar integritetin dhe efektivitetin e hetimeve disiplinore.
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka miratuar kërkesën në mbledhjen e mbajtur më 29 tetor 2026, duke vendosur për fillimin e hetimeve disiplinore dhe suspendimin e kryeprokurores Lumturije Vuçetaj nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër.







