Opozita e kundërshtoi zëshëm.
Mirëpo përkundër kësaj, Kuvendi i Kosovës miratoi me 66 vota për, asnjë kundër dhe shtatë abstenime, Projektligjin për Byronë e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Deputetët opozitarë nuk morën pjesë fare në votim.
“Personat të cilët do të jenë anëtarë të byrosë, i kanë të paktën 7 vjet përvojë profesionale, më thënë s’ka nevojë në grup punues, mjaftojnë 5 vite, për ku për byro… Pra, byroja mundet me hap raste, me mbyll raste, me i rihap, me i mbyll prapë, derisa ato nuk shkojnë në gjykatë, askush nuk jep përgjegjësi”, ka thënë Kica- Xhelili.
Herën e parë, Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar ligjin për byronë.
Prandaj, sipas opozitës, ligji i ri nuk është duke i bërë ndryshimet e kërkuara nga Kushtetuesja.
Për këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, propozoi 12 amandamente.
“Mendoj se kemi bërë punë të mirë me propozimin e të gjitha këtyre amendamenteve dhe këto amendamente do ta bënin ligjin kushtetues, në radhë të parë të dobishëm për qëllimin që është hartuar”, u shpreh Gruda.
Megjithatë, 11 nga 12 amendamentet e propozuara nuk morën përkrahjen e shumicës parlamentare.
Projektligjin e kundërshtoi edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri.
“Pesë vjet kemi diskutuar për këtë ligj edhe jemi mundu me e trajtu përnime në formën më të mirë të mundshme në komision. Sa herë që arrijshim në një stad me e përcjell ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, dilshin disa amendamente, pastaj e detyronin Kuvendin me lyp interpretim në Gjykatë Kushtetuese dhe kështu që pesë vjet jemi pa këtë institucion”, ka thënë Tahiri.
Në seancën e sotme, Kuvendi pati në rend dite gjithsej gjashtë pika.
Mirëpo, ato nuk ishin tema e vetme e diskutuar.
Deputetëve, ua tërhoqi vërejtjen kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, për konsumim të duhanit në ambientet e Kuvendit.
“Mos pini duhan. Përndryshe do të detyrohemi menjëherë që me kërku nga Inspektorati që të vijë në ambientet e Kuvendit dhe të marrin gjoba deputetët të cilët e shkelin ligjin në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Madje, Haxhiu tha se era e duhanit po mbërrin edhe deri tek ulësja e saj.



