Nga qelia e përjetshme, u sollën sërish në gjykatore.
Kështu të ënjtën, Naim Murseli e Granit Plava dolën para gjyqtarëve të Apelit.
Nga këta të fundit, po kërkojnë të shqyrtohen ankesat e tyre për burgim të përjetshëm.
Këtë dënim, Plava e Murseli, e morën në shkallë të parë, pas vrasjes së ish-bashkëshortes së këtij të fundit, Liridona Ademajt.
Por, fillimisht se pse këtë ndëshkim, nuk e mori edhe i dënuari i tretë, Kushtrim Kokalla, në Apel u ankua Prokuroria dhe familja e viktimës.
“Ankesë ka paraqitur së pari Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit për dënim pra kuptohet për të akuzuarin e tretë, që është shqiptuar dënim me burgim prej 30 vjetësh, po ashtu për vendimin për dënim ankesë ka paraqitur edhe pala e dëmtuar përmes avokatit Leutrim Syla, po ashtu për vendimin për dënim për të akuzuarin e tretë”, ka thënë Abazi.
Pas kësaj, Apeli i hodhi poshtë ankesat e Naim Murselit dhe Granit Plavës.
Ndërsa për të pranishmit e tjerë në sallë, kryetari i trupit gjykues pati një njoftim.
“Seanca do të vazhdojë e mbyllur për publikun, për shkak të rrethanave të rastit, gjegjësisht raportit familjar të palëve. Arsyet pse do të jetë e mbyllur, do t’i japë Kolegji pasi të largohet publiku nga salla”, u shpreh Hajra.
E vendimin për mbylljen e seancës për publikun, nuk e pritën mirë familja Ademaj.
“Nuk ishte e hijshme as për ju as për ne dhe as për njerëzit që na shohin, sepse sot Gjykata mundi të thotë të vërtetën mundi të lejojë edhe mediat dhe të krijojë bindjen se ne i mbrojmë gratë, motrat dhe nënat tona. Pra ne presim që vendimi të jetë ai si për Naimin, Granitin burgim i përjetshëm derisa shpresojmë që këtij vendimi t’i bashkëngjitet edhe Kushtrimi me burgim të përjetshëm”, ka thënë vëllau i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj.
Ndërsa avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, tha se presin dënim kapital edhe për Kushtrim Kokallën.
“Nuk do të kishte vrasjen e Liridona Ademajt sikur mos të ishte Kushtrim Kokalla. Kushtrim Kokalla ka qenë aktiv qysh në fillim, madje jo ashtu, siç është deklaruar në seanca e mbas disa deklaratave fillestare, ku i njëjti ka theksuar se janë takuar vetëm dy javë përpara ne i kemi ofruar si përfaqësues palës së dëmtuar gjykatës prova të mjaftueshme që të njëjtit një vit përpara kanë tentuar të vrasin, një vit përpara kanë inskenu edhe metoda të tjera për ta kryer këtë vrasje, por kanë dështuar dhe kanë kryer ashtu siç u kry”, ka thënë avokati i familjes Ademaj.
E në mesditë, Gjykata e Apelit dha sqarime rreth mbylljes se seancës për publikun.
“Ky vendim është marrë nga kolegji gjykues i çështjes penale në fjalë, në përputhje me dispozitat ligjore të procedurës penale, duke pasur parasysh natyrën e çështjeve të trajtuara, të cilat kanë paraqitur nevojën për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë.Bëjmë me dije se, në këtë çështje penale edhe në procedurën e zhvilluar në shkallë të parë, një pjesë e seancave gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura”, thuhet në njoftimin e Gjykatës se Apelit.
Ndryshe, mbrojtja e Murselit, përmes një ankese prej 30 faqesh, pretendon se Themelorja i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive.





