Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve të fundit në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës.
Shumica e viktimave janë gra, të cilat kanë raportuar dhunë fizike e psikike kryesisht nga partnerët e tyre.
Katër raste ndodhën vetëm në rajonin e Prishtinës.
Në Fushë Kosovë është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima mori tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Ndërkohë, në Prishtinë një burrë u arrestua për dhunë psikike ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte, një tjetër u arrestua pasi kishte kërcënuar me video të dashurën e tij. Në një rast tjetër, një burrë dyshohet se ka sulmuar vajzën e tij, por sipas policisë, ai “s’është takuar”.
Edhe në Kamenicë u arrestua një burrë për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Viktima mori tretman mjekësor, i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Në Novobërdë një burrë u arrestua pasi kishte sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur dhe me çrregullime mendore.
Në Deçan një grua raportoi në polici se bashkëshorti i saj në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.
“I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti gjatë intervistimit ka deklaruar se posedon një armë automatike”, tha policia. Ai më pas u lirua në procedurë të rregullt.
Në Pejë një grua dyshohet se u sulmua fizikisht nga vëllai i saj pas një mosmarrëveshje që kishin në familje.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, tha policia.
Ndërkaq, në Malishevë është arrestuar një grua pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor e ka kanosur djalin e saj. E dyshuara u dërgua në mbajtje.
Raportet e policisë për dhunën në familje brenda 24 orëve të fundit:
DHUNË NË FAMILJE
- Fushë Kosovë 28.10.2026 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak të dyshimit se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
- Prishtinë 28.10.2026 – 14:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin ka qenë në lidhje bashkëjetesë viktima, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
- Prishtinë 27.10.2026 – 21:00. Me 28.10.2026, është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e kishte sulmuar vajzën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari nuk është takuar.
- Prishtinë28.10.2026 – 14:11. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka kërcënuar me video incizime viktimën femër kosovare me të cilën ishte në lidhje dashurie. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
DHUNË NË FAMILJE
- Kamenicë 28.10.2026 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
- Novobërdë 28.10.2026 – 15:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se e kishte sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur dhe me çrregullime mendore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajte për 48 orë.
DHUNË NË FAMILJE & ARMËMBAJTJE PA LEJE
Deçan 28.10.2026 – 11:40. Është raportuar se bashkëshortja, në vazhdimësi ka dhunë psikike nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti gjatë intervistimit ka deklaruar se posedon një armë automatike. Njësia policore ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit ku e ka sekuestruar një armë automatike me një karikator të zbrazët. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
DHUNË NË FAMILJE
Pejë 28.10.2026 – 18:30. Është raportuar se viktima femër kosovare, pas një mosmarrëveshje në familje, është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
DHUNË NË FAMILJE
Malishevë 28.10.2026 – 22:15. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor e ka kanosur djalin e saj. Pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.







