Në Beograd ka ndodhur një sulm pranë Ambasadës së Izraelit, ku Dario Nikoliq (18), i dyshuar për radikalizim dhe për shprehje të mbështetjes ndaj organizatës së ashtuquajtur Shteti Islamik, u vra pas një sulmi ndaj një pjesëtari të sigurisë.
Sipas raportimeve, Nikoliq iu afrua portës kryesore të ambasadës, i armatosur me dy thika. Pasi konstatoi se në hyrje nuk kishte persona të tjerë, ai u drejtua drejt kabinës së rojës, ku ndodhej një pjesëtar i xhandarmërisë.
Pavarësisht urdhrit për të hedhur armët e ftohta, ai vazhdoi sulmin dhe e goditi policin në fytyrë, duke i shkaktuar një plagë prerëse.
Pjesëtari i xhandarmërisë reagoi duke qëlluar ndaj sulmuesit, i cili si pasojë humbi jetën.
Pas incidentit, autoritetet serbe aktivizuan masat e shtuara të sigurisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, njoftoi ngritjen e nivelit të gatishmërisë kundër terrorizmit, ndërsa në Beograd dhe në pika të tjera të rëndësishme të vendit u shtua prania e forcave policore.
Në një deklaratë për portalin Telegraf.rs, babai i të riut tha se familjarët nuk kishin pasur dijeni për planet e tij.







