Analisti politik Artan Nimani, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka folur për rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra, duke kritikuar institucionet për mënyrën se si kanë vepruar në rastet e dhunës dhe për mungesën e përgjegjësisë institucionale.
Nimani ka thënë se rasti ka nxjerrë në pah problemet në funksionimin e mekanizmave institucionalë, pavarësisht krijimit të trupave koordinues dhe njësive të veçanta.
“Ne sot po flasim këtu për shkak se është kjo letër. Mos ta kishte lënë këtë letër, do të kishte mbetur një zë i heshtur, sikur të tjerët. […] Ne krijuam trupa, ekipe koordinuese, njësi të veçanta, edhe asnjë segment nuk po funksionon tek ne”, ka deklaruar Nimani.
Ai ka kritikuar edhe përplasjet politike rreth rastit, duke thënë se në vend të akuzave të ndërsjella, institucionet duhet të përqendrohen në trajtimin konkret të tij.
“Është bërë një kohë e gjatë dhe vetëm po drejtojmë gishtin dhe po fajësojmë X apo Y institucione. […] Ishte e tmerrshme ta shihje seancën e Parlamentit të Kosovës për rastin e Arlindës. Ata nuk do të duhej të ishin aty për të akuzuar njëri-tjetrin, por të merreshin me rastin konkret, sepse bazat ligjore ekzistojnë”, ka thënë ai.
Sipas Nimanit, Arlinda kishte njoftuar institucionet për rrezikun me të cilin përballej, prandaj ai ka ngritur pyetjen se çfarë tjetër duhet të bëjë një qytetar për t’u mbrojtur nga institucionet e vendit.
“E ndjera Arlinda ka votuar për ata deputetë që besoj se janë aty. Çka duhet të bëjë një qytetar i një vendi më shumë sesa t’i njoftojë institucionet e një vendi se është i rrezikuar? Një qytetar i rrezikuar i ka njoftuar edhe shumë institucione të tjera”, është shprehur Nimani.
Ai ka shprehur gjithashtu skepticizëm se rasti do të trajtohet me seriozitet nga krerët institucionalë dhe akterët politikë.
“Unë, për shkak të matematikave politike, nuk pres të merret seriozisht as Kurti, as akterët e tjerë në procesin ndaj Arlinda Zekajt”, ka deklaruar Nimani.







