Protesta e mbajtur sot në Prishtinë, në shenjë revolte pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka përfunduar, por protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale do të vazhdojë edhe nesër.
Dhjetëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën në kryeqytet, duke nisur marshimin para Ministrisë së Drejtësisë. Protestuesit më pas vazhduan drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe objektit të Policisë së Kosovës, për ta përmbyllur protestën para ndërtesës së Qeverisë.
Gjatë marshimit, qytetarët shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve përgjegjëse përmes parullave dhe thirrjeve, ndër të cilat “Shteti i ka duart me gjak”, “Rahat s’kena me iu lon” dhe “Jepni dorëheqje”.
Para disa objekteve institucionale u hodhën mjete piroteknike, ndërsa në dyert e Qeverisë së Kosovës u shkrua fjalia e marrë nga letra e Arlinda Zekajt: “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”. Në të njëjtin vend u vizatua edhe një sëpatë me ngjyrë të kuqe, si referencë ndaj mënyrës së vrasjes së saj.
Protestuesit kërkuan drejtësi për Arlindën dhe llogaridhënie nga institucionet që, sipas tyre, duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimet në trajtimin e rastit. Ata paralajmëruan se kërkesat dhe reagimet e tyre do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.
Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët, e shoqëruar nga Policia e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se u vra me një mjet të fortë nga kunati i saj. I dyshuari u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit në Deçan.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, pasi vrasja ndodhi nëntë ditë pas një vendimi gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë.
Protestuesit kërkojnë që rasti të trajtohet me seriozitet dhe që të sqarohet përgjegjësia e institucioneve, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten.







