Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar raportin nga inspektimi i realizuar në Gjykatën Themelore në Pejë, lidhur me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, e cila u vra në tetor të këtij viti.
Sipas komunikatës së KGJK-së, kryesuesi i këtij institucioni, Rrustem Thaqi, më 26 tetor kishte kërkuar urgjentisht nga Njësia për Inspektim Gjyqësor shqyrtimin e dokumentacionit dhe veprimeve të ndërmarra nga gjykata në rastin me numër C.nr. 1300/2026.
Inspektimi në Gjykatën Themelore në Pejë është realizuar më 26 tetor, ndërsa raporti përfundimtar i është dorëzuar Këshillit më 28 tetor.
Sipas raportit, Gjykata Themelore në Pejë e kishte pranuar më 7 shtator kërkesën për shqiptimin e urdhrit mbrojtës emergjent dhe po atë ditë kishte vendosur për mbrojtjen e Arlinda Zekaj-Sylajt.
Kundër këtij vendimi, Arlinda dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kishin paraqitur kundërshtim lidhur me pikën që kishte të bënte me besimin e fëmijës dhe alimentacionin.
Më 16 tetor, gjykata kishte vendosur lidhur me këtë kundërshtim.
“Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se, pala mbrojtëse Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për mbrojtje”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.
Sipas Këshillit, të dy aktvendimet për urdhrin mbrojtës i ishin përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutim, sipas asaj që ishte përcaktuar në dispozitivin e tyre.
Në komunikatë bëhet e ditur se më 17 shtator, Arlinda Zekaj-Sylaj i ishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe jashtë afateve ligjore.
Kryetari i gjykatës, po atë ditë, i kishte kërkuar gjyqtarit përgjegjës informacione lidhur me rastin dhe veprimet e ndërmarra.
“Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, sipas KGJK-së, më 20 tetor kryetari i gjykatës i ishte përgjigjur me shkrim Arlindës, duke i sqaruar veprimet e ndërmarra lidhur me rastin.
KGJK-ja ka bërë të ditur se më 26 tetor, në orën 08:56, Gjykata Themelore në Pejë kishte pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë kundër bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj.
“Aktakuza në gjykatë është pranuar pas vrasjes së të ndjerës Arlinda Zekaj-Sylaj”, thuhet në komunikatë.
Sipas raportit, aktakuza ishte regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe elektronik të gjykatës, me numër P.nr. 832/2026.
KGJK-ja thekson se në lëndën që kishte të bënte me urdhrin mbrojtës, palë kishin qenë Arlinda Zekaj-Sylaj dhe bashkëshorti i saj, ndërsa personi i dyshuar për vrasjen, Albert Sylaj, nuk ishte përfshirë në shkresat e kësaj lënde.
Në komunikatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar edhe ndaj raportimeve mediatike se kryesuesi i këtij institucioni kishte pranuar kërkesë nga Arlinda Zekaj-Sylaj.
“Informojë mediat dhe qytetarët se këto informacione nuk janë të vërteta”, thuhet në komunikatë.
Sipas KGJK-së, deri më 28 tetor nuk ishte pranuar asnjë kërkesë nga Arlinda. Këshilli thotë se këtë e ka konstatuar pas kontrollimit të regjistrave fizikë, evidencave të Sekretariatit dhe postës zyrtare elektronike.
Në fund, KGJK-ja ka deklaruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe nuk përjashton masa ndaj personave për të cilët konstatohet se veprimet ose mosveprimet e tyre janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.







