Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Parlamentin e Serbisë, të cilat do t’i përfaqësojnë Shaip Kamberi dhe Visar Memeti.
Të dy deputetët e zgjedhur janë shprehur të gatshëm për të jenë pjesë e qeverisë së re të Serbisë, që do ta udhëheqë Lista e Studentëve, por që kanë kushtet e tyre.
Memeti ka deklaruar se koalicioni mund të jetë pjesë e qeverisë së re në Serbi, nëse gjen gjuhë të përbashkët me platformën e Listës Studentore, e cila doli e para në zgjedhjet e fundit.
“Nëse gjejmë një gjuhë të përbashkët apo biem në dakordim me platformën që e kemi ne si Koalicion Shqiptar, pse jo të mos jemi pjesë e kësaj qeverie”, është shprehur Memeti në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Të njëjtin qëndrim e ka dhënë edhe deputeti Kamberi.
Ai ka thënë se shqiptarët nuk janë të interesuar për post vetëm sa për t’u paraqitur si të përfshirë, por se duan që kërkesat e tyre të plotësohen.
Kamberi theksoi se përparësi mbetet realizimi i kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës përmes Planit 7-pikësh dhe zgjidhja e çështjeve urgjente si pasivizimi i adresave, përfaqësimi në institucione dhe arsimi.
“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka thënë ai në mesazhin për Listën Studentore, në një intervistë për “Deutsche Welle”.







