Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur në takim shefin e misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Gjatë takimit, Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut dhe agjencisë së tij për bashkëpunim zhvillimor, LuxDev, për Kuvendin e Kosovës.
Ajo veçoi kontributin në modernizimin e sistemit të votimit elektronik dhe në përmirësimin e kushteve të punës parlamentare.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përgatitjen e projekteve të reja që synojnë digjitalizimin e plotë të punës së Kuvendit.
Po ashtu, u trajtua rëndësia e forcimit të sigurisë së sistemeve dhe rritjes së qasjes së qytetarëve në veprimtarinë parlamentare.
Haxhiu theksoi se partneriteti me Luksemburgun është i rëndësishëm për ndërtimin e një Kuvendi më efikas, më modern dhe më të hapur ndaj qytetarëve./teve1.info/







