Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sonte në ceremoninë e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Austrisë.
Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula përcolli urimet më të përzemërta për Republikën e Austrisë dhe qytetarët e saj, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe paqes.
“Presidentja vlerësoi kontributin e Austrisë në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, njohjen e hershme të pavarësisë dhe mbështetjen për shtetndërtimin, forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit. Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për Republikën e Austrisë, institucionet dhe qytetarët e saj, duke nënvizuar potencialin për thellimin e bashkëpunimit në arsim, shkencë, kulturë, teknologji, ekonomi dhe inovacion”, shkruhet në njoftimin e presidencës.
Presidentja uroi popullin austriak për paqe, mirëqenie dhe prosperitet të vazhdueshëm, ndërsa Republikës së Austrisë i dëshiroi suksese në kontributin e saj për një Evropë paqësore dhe të bashkuar.




