Kryeparlamentarja e Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, është takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski. Në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore dhe ndërlidhja energjetike.
Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit me Mickoskin kanë diskutuar për ecurinë e projekteve të përbashkëta dhe rëndësinë e realizimit të tyre në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
Ajo ka theksuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar lidhjes rrugore Prizren–Tetovë, autostradës Shkup–Bllacë, si dhe projekteve që lidhen me ndërlidhjen energjetike.
Sipas Haxhiut, interesi i përbashkët është që këto projekte të realizohen sa më shpejt, në mënyrë që zotimet të konkretizohen me rezultate.
“Vëmendje të veçantë u kushtuam projekteve infrastrukturore, përfshirë lidhjen rrugore Prizren–Tetovë dhe autostradën Shkup–Bllacë, si dhe ndërlidhjes energjetike. Interesi ynë i përbashkët është që këto projekte të realizohen sa më parë, në mënyrë që zotimet tona të kthehen në rezultate konkrete”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka vlerësuar se këto projekte kanë rëndësi jo vetëm për zhvillimin e infrastrukturës, por edhe për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve.
“Këto projekte kanë rëndësi përtej infrastrukturës. Ato e lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave, dhe njëkohësisht tregojnë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut bashkëpunojnë si dy fqinjë të mirë”, ka theksuar Haxhiu.







