Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e së dielës në Serbi ka rrëzuar regjimin e Aleksandar Vuçiqit pas gati 15 vjetësh në pushtet, por ndikimi i tij në rajon mund të vazhdojë përmes aleatëve politikë në vendet fqinje.
Kështu vlerëson drejtori ekzekutiv i Akademisë Rajonale për Zhvillimin e Demokracisë, Balsha Bozhoviq, në një intervistë për mediumin malazez Pobjeda, ku së bashku me profesorin universitar Dragan Veselinov ka folur për marrëdhëniet që qeveria e ardhshme në Beograd mund të ndërtojë me vendet fqinje.
Bozhoviq ka thënë se Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur pritjen se pushteti i ri në Serbi nuk do ta pengojë më procesin e integrimit evropian të Podgoricës.
“Pres që pushteti i ri të mos e pengojë më Malin e Zi në integrimin evropian”, ka thënë Bozhoviq.
Ai ka vlerësuar se rënia e regjimit të Vuçiqit mund të ndikojë edhe në dobësimin e aleatëve të tij politikë në Mal të Zi. Në këtë kontekst, ai ka përmendur kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, liderin e Partisë Popullore Demokratike, Milan Kneževiq, atë të Malit të Zi të Lirë, Vladislav Dajkoviq, disa pjesëtarë të Demokratëve dhe kryetarin e Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq.
Sipas tij, këta politikanë kanë bashkëpunuar me Vuçiqin dhe e kanë ndihmuar atë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Malit të Zi.
“Ata kanë bashkëpunuar me Vuçiqin dhe e kanë ndihmuar që, në çdo mënyrë të mundshme, ta pengojë Malin e Zi dhe të ndërhyjë në çështjet e tij të brendshme”, ka deklaruar Bozhoviq.
Ai ka paralajmëruar se ndikimi i regjimit të Vuçiqit nuk kufizohet vetëm në Serbi, duke përmendur edhe Listën Serbe në Kosovë, Milorad Dodikun në Bosnjë e Hercegovinë dhe Zoran Jankoviqin në Lubjanë.
“Mos harroni se pjesë e regjimit të Vuçiqit kanë qenë edhe disa politikanë në Mal të Zi. Dhe jo vetëm atje. Këtu janë edhe Lista Serbe në Kosovë, Milorad Dodiku në Bosnjë e Hercegovinë dhe Zoran Jankoviqi në Lubjanë. Pra, ky regjim i kishte shtrirë tentakulat e tij në të gjithë rajonin dhe nuk mund të bjerë vetëm në Serbi, por duhet të bjerë në të gjithë rajonin”, ka thënë Bozhoviq.
Ai ka shtuar se Serbia duhet të rikthehet në rrugën evropiane, duke vlerësuar se pa Bashkimin Evropian, partnerin kryesor tregtar të saj, vendi nuk mund të sigurojë investime dhe projekte të reja zhvillimore.
Sipas Bozhoviqit, ekonomia serbe nuk është e qëndrueshme dhe qeveria e ardhshme do të përballet me nevojën për ndryshime të thella në sistem.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se Mali i Zi mund të përfundojë negociatat dhe të përmbyllë marrëveshjen e anëtarësimit në BE në vitin 2028, nëse arrin t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen.
Ndërkaq, profesori universitar dhe ish-ministri në Qeverinë e Serbisë, Dragan Veselinov, ka shprehur pritjen që marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Beogradit të përmirësohen pas ndryshimeve politike në Serbi.
Ai ka thënë se pret mbështetje të madhe nga Beogradi për rrugën evropiane të Malit të Zi, por edhe mbështetje të ndërsjellë nga Podgorica për integrimin evropian të Serbisë.
“Pres mbështetje të madhe nga Beogradi për Malin e Zi në rrugën drejt Brukselit”, ka deklaruar Veselinov, duke shtuar se pret edhe “mbështetje të madhe dhe vëllazërore” të Malit të Zi për Serbinë, në mënyrë që edhe ajo të ecë drejt Bashkimit Evropian./Pobjeeda/









