Në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është përuruar Njësia Koronare, investim ky në vlerë prej 211 mijë eurosh, që synon përmirësimin e kushteve të trajtimit të pacientëve dhe krijimin e kushteve më të mira të punës për personelin shëndetësor.
Kryeministri Kurti tha se investimet në QKUK po mundësojnë transformimin e hapësirave spitalore, pajisjen e tyre me teknologji moderne dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Hap pas hapi hapësirat e QKUK-së po rinovohen aq thellësisht saqë po transformohen. Me secilin investim po sigurohen edhe pajisjet moderne, po krijohen kushte më të mira për shërim për pacientët dhe njëkohësisht mundësi më të mëdha për shërim për ta, meqenëse këto kushte i dedikohen edhe atyre që kujdesen për pacientët, mjekëve specialist dhe infermierëve. Sot jemi për të përuruar hapësirën e transformuar të njësisë koronare në klinikën e kardiologjisë në vlerës prej 211 mijë euro.. Rezultatet e kësaj mbështetje shihen këtu në punën e përditshme të klinikës dhe në shërbimet cilësore që i marrin qytetarët tanë”, tha Kurti.
Ndërkaq, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, e cilësoi përurimin e kësaj njësie si një tjetër hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.
Ai tha se hapësirat e reja, shtretërit shtesë dhe pajisjet e avancuara do të mundësojnë trajtim më të sigurt për pacientët, derisa kapacitetet e Klinikës së Kardiologjisë pritet të rriten për 30 deri në 40 për qind.
“Me hapësirat moderne, shtretërit shtesë dhe pajisjet e avancuara për monitorim, kjo njësi e re e kujdesit koronar do t’u ofrojë pacientëve trajtim më të sigurt dhe më efektiv në disa nga momentet më kritike të jetës së tyre. Gjithashtu, ajo do t’u sigurojë mjekëve dhe infermierëve kushte më të mira për ta kryer punën e tyre thelbësore. Kjo njësi e re vjen si vazhdim i suksesit të laboratorit të kateterizimit kardiak këtu në Prishtinë, të cilin e përuruam së bashku me kryeministrin në nëntor të vitit të kaluar. Që atëherë, më shumë se 3 mijë pacientë kanë përfituar tashmë nga shërbimet e tij diagnostikuese dhe ndërhyrëse kardiake. Me hapjen e kësaj njësie të kujdesit koronar, po bëjmë një tjetër hap të rëndësishëm përpara, duke rritur kapacitetet e trajtimit të Klinikës së Kardiologjisë për rreth 30 deri në 40 për qind”, tha ai.
Sipas ambasadorit, më shumë se 3 mijë pacientë kanë përfituar nga shërbimet e laboratorit të kateterizimit kardiak që nga përurimi i tij në nëntor të vitit të kaluar.




