Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kërkuar hetim të plotë, transparencë dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet para se të vritej.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Hoxha tha se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë për të raportuar rrezikun me të cilin po përballej, duke shpresuar se institucionet do ta mbronin.
Sipas deputetes së PDK-së, fakti që viktima kishte kërkuar ndihmë paraprakisht e bën edhe më të rëndë këtë tragjedi dhe ngre pikëpyetje për reagimin e institucioneve përgjegjëse.
“Një shtet që nuk arriti të mbrojë një grua që kërkoi ndihmë. Arlinda Zekaj, para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë, i kishte shkruar Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte treguar për frikën e saj, për dhunën dhe rrezikun që i kanosej. Ajo kishte thënë se shpresa e saj e fundit për mbrojtje ishte shteti”, deklaroi Hoxha.
Ajo u shpreh se është e rëndë që një grua, e cila kishte vendosur t’u drejtohej institucioneve dhe të kërkonte mbrojtje, të mos arrinte të shpëtonte nga rreziku që kishte paralajmëruar.
“A mund ta imagjinoni se çka mund të thotë kjo, të jetosh me frikë, të kërkosh ndihmë, të mbledhësh guximin për t’iu drejtuar shtetit, t’i besosh shtetit se më në fund dikush mund të të mbrojë dhe në fund të mos jesh më gjallë. Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë atë”, tha deputetja.
Në fjalën e saj para deputetëve, Hoxha theksoi se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private, por duhet të shihet si një alarm për institucionet dhe shoqërinë.
Ajo kritikoi mungesën e efektivitetit të masave mbrojtëse nëse ato nuk zbatohen në praktikë, duke nënvizuar se vetëm ekzistenca e ligjeve nuk është e mjaftueshme për të garantuar sigurinë e grave.
“Ajo grua nuk është më, një familje është shkatërruar dhe ne kemi edhe një emër tjetër kur thirrjet për ndihmë nuk dëgjohen me kohë, kur shteti nuk vepron, kur neglizhenca institucionale shndërrohet në dhunë institucionale dhe merr jetë”, deklaroi Hoxha.
Ajo ngriti gjithashtu pyetjen se sa raste të tjera duhet të ndodhin që institucionet të reagojnë me seriozitetin e duhur ndaj dhunës ndaj grave.
“Edhe sa gra të tjera nuk duhet të jenë më me ne, duhet të vriten që institucionet tona të kuptojnë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, është alarm shtetëror. Ne kemi ligje, u fol për to, kemi urdhra mbrojtjeje, por ligjet që nuk zbatohen, duket se nuk i shpëtojnë gratë”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së theksoi se reagimi institucional nuk duhet të përfundojë vetëm me ngushëllime dhe dënim publik të krimit, por duhet të pasohet me hetim dhe llogaridhënie për çdo përgjegjësi të mundshme.
“Prandaj, sot nuk mjaftojnë as ngushëllimet, as dënimi i krimit, as fjalimet tona këtu. Duhet të ketë hetim, transparencë, përgjegjësi për çdo neglizhencë dhe mosveprim institucional”, përfundoi Hoxha.
Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës. Sipas informatave të bëra publike, i dyshuari për vrasjen është kunati i saj, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur brenda shtëpisë. Sipas të dhënave fillestare, viktima dyshohet se është vrarë me sëpatë.








