Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se shteti ka dështuar ta mbrojë atë, ndonëse kishte kërkuar ndihmë.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka kritikuar reagimin e institucioneve ndaj rasteve të dhunës ndaj grave, duke thënë se deklaratat publike dhe fjalimet në Kuvend nuk kanë arritur të parandalojnë përsëritjen e tragjedive të tilla.
Ajo u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Qeverisë që të marrin përgjegjësi konkrete dhe të mos presin që të ndodhë një tjetër vrasje për të ndërmarrë veprime.
“Përtej deklaratave të një zonje në krye të një strategjie e cila do të duhej ta luftonte edhe femicidin dhe dhunën, rastet të cilat i përsëritim e i numërojmë këtu, mendoj se duhet të jemi më të përgjegjshëm”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Deputetja e PDK-së ka ngritur pikëpyetje për efektivitetin e reagimit institucional, duke theksuar se viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por nuk arriti të shpëtonte jetën.
“Nëse një zonjë nuk jeton më dhe ka kërkuar përgjegjësi prej shtetit, a mjaftojnë një minutë heshtje, këto deklarime prej nesh këtu që duhet ta dënojmë dhunën? A është ky një normalizim që po ndodh në Kosovë?”, ka pyetur ajo.
Gjatë fjalimit të saj, Deliu-Kodra ka kritikuar edhe moszbatimin e ligjeve dhe mekanizmave që synojnë mbrojtjen e grave, duke thënë se për këtë çështje është diskutuar vazhdimisht në Kuvend, pa u parandaluar rastet e reja.
“95 raste të grave u lexuan nga e para e Kuvendit, vdekjet të cilat kanë përcjellë shoqërinë kosovare, nga vrasës të cilët nuk janë dekurajuar nga fjalimet tona. Nuk janë ndjerë të kërcënuar prej fjalimeve në këtë Kuvend. A ka shtet këtu? A ka Kosova institucione apo ne ende duhet të thirremi në procedura, në ligje?”, është shprehur ajo.
Sipas deputetes, ekzistenca e ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë dhe nëse institucionet nuk arrijnë të reagojnë në kohë ndaj rasteve kur gratë kërkojnë ndihmë.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia institucionale nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata dhe dënime publike, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete.
Deliu-Kodra u është drejtuar drejtpërdrejt përfaqësuesve të Qeverisë, duke pyetur nëse institucionet do të vazhdojnë të reagojnë vetëm pasi të ndodhin tragjedi të tjera.
“Sot ju pyes juve, përfaqësues të Qeverisë, a do ta bëjmë ne gjumin e qetë deri në vrasjen tjetër, apo do të dalim pas një vrasjeje tjetër në seanca plenare e pastaj të themi se kemi kryer detyrën tonë? Mjaft është”, ka deklaruar ajo.
Në fund të fjalimit, deputetja ka kërkuar dorëheqje dhe llogaridhënie nga zyrtarët përgjegjës, duke theksuar pasojat e rënda që vrasja ka lënë për familjen e viktimës.
“Mua më vjen marre nga ky fjalim i imi në Kuvend. Dikush duhet të dorëhiqet, të japë përgjegjësi. Ministre, e keni përgjegjësinë. Një grua e ka lënë fëmijën e saj jetim, shteti ka dështuar ta mbrojë”, ka thënë Deliu-Kodra.







