Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë duke shtuar se Mali i Zi është më afër BE-së, ndërsa Kosova pret statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Ai kështu është shprehur pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt në Shën Stefan.
“Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe kanë të përbashkët hovin e progresit demokratik, siç tregojnë shpesh edhe vlerësimet ndërkombëtare. Mali i Zi është më pranë anëtarësimit në BE dhe jemi të interesuar të mësojmë nga përvoja e tij, teksa Kosova pret statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Biseduam edhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, sidomos për ndërlidhjen më të mirë përmes infrastrukturës tokësore”, ka shkruar Kurti në Facebook.









