Dogana e Kosovës ka zbuluar 113 telefona mobilë të dyshuar si të kontrabanduar gjatë një operacioni kontrolli të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në Prishtinë, ndaj një biznesi që merret me tregtimin e telefonave mobilë.
Sipas njoftimit të Doganës, operacioni është realizuar pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative. Fillimisht, zyrtarët doganorë kanë kontrolluar lokalin afarist, ndërsa më pas kontrolli është zgjeruar edhe në një banesë në afërsi të biznesit, e cila dyshohet se shfrytëzohej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave të kontrabanduar.
Gjatë kontrollit janë gjetur 113 telefona të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huawei.
Dogana bën të ditur se personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të telefonave, importimin e tyre përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse.
Të gjithë telefonat e zbuluar janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale sipas legjislacionit në fuqi./teve1.info/




