Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin e 27 personave të ndaluar pas protestave në kryeqytet, duke vlerësuar të paligjshme arrestimet në flagrancë të 22 prej tyre.
Për gjashtë persona të tjerë është caktuar masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, raportojnë mediat shqiptare.
Vendimet u morën më 22 tetor, pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurimit personal për personat e ndaluar gjatë protestave.
Në grupin e parë prej 10 personash, gjykata vlerësoi të paligjshme arrestimet e tetë prej tyre dhe vendosi të mos caktojë masa sigurie.
Për dy të tjerët, T. T. dhe F. M., arrestimi u vlerësua i ligjshëm, por u caktua detyrimi për t’u paraqitur pranë Prokurorisë së Tiranës të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Në një vendim tjetër për 11 persona, gjykata shpalli të paligjshme tetë arrestime dhe nuk caktoi masa sigurie për shtatë prej tyre.
Për tre persona, M. M., L. S. dhe E. G., arrestimi u vlerësua i ligjshëm dhe u caktua detyrimi për t’u paraqitur të hënën e tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Edhe për D. D., arrestimi u shpall i paligjshëm, por gjykata caktoi detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.
Vendimi përfshiu edhe gjashtë të mitur në konflikt me ligjin, për të cilët gjykata vlerësoi të paligjshme arrestimet në flagrancë, nuk caktoi masa sigurie dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Personat nën hetim dyshohen, në varësi të rasteve, për kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe shkatërrim të pronës.
Në një prej çështjeve përmenden edhe dyshime për prishje të qetësisë publike, pengim të qarkullimit dhe goditje për shkak të detyrës.
Vendimet mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit.










