Profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu ka komentuar kthimin për rishqyrtim të ligjit për Specialen në Kuvend, duke vlerësuar se vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e tij është i arsyeshëm, për shkak të çështjeve që mund të paraqesin pasoja juridike dhe vështirësi në zbatimin praktik.
Baraliu ka thënë se pas miratimit në lexim të parë dhe të dytë, nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për një analizë të plotë të përmbajtjes së ligjit.
Sipas tij, është e rëndësishme që projektligji të plotësohet dhe të përmirësohet, në mënyrë që të ketë më shumë siguri juridike dhe më pak rreziqe gjatë zbatimit.
“PDK-ja e ka parë që ligji në fjalë gjerësisht projektligji ka edhe gjëra të tjera që duhet ndaj shtuar dhe sigurisht që për ta analizuar mirë e mirë kanë pasur paksa kohë pasi që është miratuar në lexim të parë dhe të dytë, kanë bërë mirë që e kanë kthyer për arsye se ka shumë çështje që mund të jenë diskutabile ose me pasoja për sa i përket efekteve juridike dhe zbatueshmërisë së këtij ligji, është mirë që është propozuar që të ndryshohet e të përmirësohet që të ketë më shumë përmbajtje e më pak rreziqe sa i përket sigurisë juridike dhe zbatueshmërisë së tij në praktikë”, ka deklaruar Baraliu në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka paralajmëruar se vonesat mund të kenë pasoja, pasi afatet për ankesa në Gjykatën e Apelit po skadojnë, ndaj ka kërkuar angazhim të shpejtë të të gjitha subjekteve politike për përmirësimin e ligjit.
Baraliu ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ofrojë sërish mbështetjen për miratimin e ligjit në Kuvend, duke kërkuar që procesi të mos ndikohet nga kalkulimet dhe betejat politike.
“Ne fatkeqësisht tani me gabimet tona me nguti tonë po vonohemi, sepse afatet për ankesë në Apel po skadojnë, nuk duhet vonuar por duhet të përkushtohen të gjithë në mënyrë që thjesht ta plotësojmë mirë dhe të ketë siguri juridike dhe efekte jurdike më shumë, në aspektin e zbatimit të këtij ligjit….Domosdoshmërish do duhej që LVV ta ofrojë sërish votën e saj për miratimin e ligjit në Kuvend, këtu nuk duhet të ketë në asnjë mënyrë kalkulime politike dhe qëllime e beteja politike të subjekteve politike, sepse është interes vital jetik i Kosovës, të gjitha partive politike jo vetëm Kuvendit, gjitha institucioneve të këtij vendi, historisë dhe ardhmërisë së këtij vendi”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Baraliu ka kritikuar edhe LDK-në për mospërkrahjen e ligjit, por ka bërë thirrje që në këtë fazë të gjitha subjektet politike të bashkëpunojnë në hartimin e amendamenteve dhe të kontribuojnë në përmirësimin e tij.
Sipas Baraliut, çështjet që prekin themelet e shtetit dhe sigurinë juridike duhet të trajtohen me unitet politik dhe me përgjegjësi institucionale.
“LDK-ja është dashur ta përkrahë ligjin si krejt Kosova, nuk e kanë përkrahur është betejë politike e tyre por në këto raste për këto çështje kur cenohen, dëmtohen dhe goditen themelet e shtetit duhet bashkë me qenë, po vazhdohen betejat politike, për mua është e parëndësishme kjo. Tash e tutje duhen të jenë bashkë të kontribuojnë në amendamente në këtë projektligj, ka kohë më shumë dhe të jenë të bashkuar dhe unik të gjitha subjektet politike në Kuvend”, përfundoi Baraliu./teve1.info/







