Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas njoftimit të PDK-së, kërkesa vjen pas konsultimeve të gjera, me qëllim të plotësimit të disa dispozitave dhe forcimit të sigurisë juridike të ligjit, si dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
PDK-ja ka theksuar se ligji është përfunduar në pjesën dërrmuese të tij dhe se rikthimi në Kuvend synon një verifikim përfundimtar profesional, si dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme”, thuhet në njoftim.
Partia ka sqaruar se kërkesa është për rikthimin e ligjit në Kuvend për rishqyrtim, e jo në Qeveri apo për nisjen e procesit nga e para.
Po ashtu, PDK-ja u ka bërë thirrje ekspertëve, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozime konkrete për përmirësimin e ligjit.
Ajo ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh, pasi ishte miratuar më 6 tetor 2026.
Ndërkohë, PDK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore lidhur me apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Në fund, partia ka theksuar se gatishmëria për përmirësimin e ligjit nuk nënkupton tërheqje nga nisma, duke ritheksuar qëndrimin e saj për hyrjen e ligjit në fuqi./teve1.info/




