Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka shprehur publikisht qëndrimin e tij kundër diskriminimit të komunitetit mysliman, duke dënuar gjuhën e urrejtjes dhe paragjykimet e bazuara në përkatësinë fetare.
Gjatë një fjalimi në një qendër fetare në Florida, Clinton tha se, “jam lodhur me njerëzit që i nënçmojnë myslimanët për faktin se janë myslimanë”.
Fjalimi i tij tërhoqi vëmendje të gjerë dhe u shpërnda në mediat ndërkombëtare.
Ai vijoi të ndaj një përvojë personale që lidhet me vajzën e tij, Chelsea Clinton, për të cilën tregoi se e kishte lexuar Kuranin që në moshë të re.
Në vijim të deklaratës së tij, Clinton foli për ndikimin që pati leximi i Kuranit te vajza e tij, e cila, sipas tij, e kishte përfunduar leximin e librit të shenjtë islamik në moshën 15-vjeçare.
“Kurani thotë – dhe këtë e kam dëgjuar për herë të parë nga vajza ime, e cila e lexoi Kuranin nga fillimi deri në fund kur ishte 15 vjeçare… ajo më tha: ‘Babë, lexoje këtë: Zoti i vendosi njerëzit e ndryshëm në Tokë jo që ta urrejnë njëri-tjetrin, por që të njihen dhe të mësojnë nga njëri-tjetri’”, u shpreh Clinton para të pranishmëve.
Ai vuri në pah se dallimet mes komuniteteve duhet të shihen si mundësi për njohje dhe mirëkuptim, e jo si shkak për ndasi, paragjykime apo urrejtje.









