Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të kësaj partie.
Rama, i cili është rizgjedhur në krye të kryeqytetit, ka vlerësuar se rezultatet e tij në Prishtinë dëshmojnë se mund ta udhëheqë edhe LDK-në.
Ai ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke konsideruar se partisë i nevojitet ndryshim në udhëheqje.
“A keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem (kandidat për kryetar të LDK-së). Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedh, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë. Mendoj që kishte bërë mirë (të dorëhiqet Abdixhiku). Ashtu duhet me bë”, ka deklaruar Rama.
Zgjedhjet e ardhshme të brendshme të LDK-së pritet të mbahen gjatë vitit 2027, ndërsa deklarimi i Ramës paralajmëron një garë për udhëheqjen e partisë.
Disa ditë më parë, Abdixhiku kishte reaguar ndaj ambicieve të Ramës për të marrë drejtimin e LDK-së.
Gjatë një paraqitjeje para mediave, ai kishte pozuar me një filxhan me fotografinë e presidentit historik, Ibrahim Rugova, ku shkruante: “LDK vetëm e LDK-së”.
Abdixhiku u zgjodh kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të brendshme. Ai u konfirmua në këtë pozitë edhe në zgjedhjet e rregullta të nëntorit 2023.
Pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, Abdixhiku ofroi dorëheqjen, duke ia lënë vendimin Kuvendit të partisë.
Megjithatë, më 31 janar 2026, ai siguroi votëbesimin për të vazhduar drejtimin e LDK-së. Një tjetër votëbesim e kaloi edhe më 30 korrik të këtij viti.
Nën udhëheqjen e Abdixhikut, LDK-ja është renditur e treta në tri palë zgjedhje parlamentare.
Deklarimi i Ramës e hap publikisht çështjen e garës për kryetar të LDK-së, në prag të procesit të ardhshëm zgjedhor brenda partisë./kp









