Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në foltoren e kuvendit, për inflacionin në vend gjatë viteve të fundit tha se gjendja financiare e familjeve shqiptare është rënduar dukshëm.
Mustafa tha se familjet kosovare vërejnë në përditshmëri që çmimet rriten dhe rrallëherë zbresin.
“Nuk ka familje kosovare, 99 për qind prej tyre detyrohen që çdo muaj të ulen dhe të diskutojnë rreth buxhetit familjare, rreth të hyrave mujore që nuk po i mbulojnë shpenzimet mujore. Sa herë që një familje del në treg apo në market për të blerë ushqim vërejmë që çmimet çdo ditë po ngriten, fatkeqësisht ato kurrë nuk zbresin. Natyrisht çdo familje kosovare ka në pronësi një automjet, sa herë që shkon në pompë të benzinës vërën të njëjtën gjë, sa herë që blen derivate rriten e rrallëherë zbresin në Kosovë”, tha Mustafa.
Ai tha se këtë problem nuk e vërejnë pushtetarët dhe krerët e Qeverisë.
“Të njëjtë brengë nuk e ndajnë disa familje, ndër to bëjnë pjesë edhe pushtetarët në këto gjashtë vitet e fundit, të cilët nuk e ndjejnë këtë problem që e kanë 99 për qind e familjeve të Kosovës”, tha Mustafa.
Ai ngriti edhe çështjen e çmimeve të banesave, të cilat sipas tij, janë shumë të larta dhe të papërballueshme.







