Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku për shqyrtim janë pesë pika të rendit të ditës. Në sallë, në momentin e nisjes së seancës, kanë qenë të pranishëm rreth 70 deputetë, ndërsa disa të tjerë pritej të arrinin ende.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në sallë janë të pranishëm 70 deputetë, por se numri i tyre mund të rritet me ardhjen e deputetëve të tjerë.
Në mesin e çështjeve që do të trajtohen gjatë kësaj seance janë formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), si dhe votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për përfaqësimin në komisionet parlamentare.
Sipas rendit të ditës, deputetët fillimisht do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme. Më pas, do të kenë mundësi të deklarohen jashtë rendit të ditës për çështje të ndryshme me interes publik.
Pika e tretë përfshin pyetjet parlamentare, ku deputetët do të kërkojnë përgjigje dhe sqarime nga përfaqësuesit e Qeverisë për çështje që lidhen me punën dhe përgjegjësitë e tyre.
Në pikën e katërt është paraparë formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së. Dy pozita janë të rezervuara për përfaqësues të komunitetit shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.
Ndërkaq, në pikën e pestë deputetët do të votojnë propozimin e Listës Serbe për emërimin e përfaqësuesve të saj në komisionet parlamentare.
Seanca po mbahet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.







