Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë të shmangë retorikën nxitëse ndaj Kosovës dhe të ndërmarrë hapa konkretë për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në përgjigje për Euronews Albania, zëdhënësi i BE-së ka shprehur shqetësimin për deklaratat e politikanëve serbë dhe për mungesën e veprimeve ndaj personave të dyshuar.
Reagimi i Brukselit vjen pas deklaratave të Milosh Jovanoviqit, i cili gjatë fushatës zgjedhore vizitoi Prizrenin dhe u shpreh se “Kosova është Serbi”, si dhe të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili deklaroi se flamuri serb do të valëvitej sërish mbi qytet.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se liderët politikë duhet të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi e stabiliteti në rajon. Sipas tij, është e rëndësishme që të ketë përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.







