Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i cili dyshohet se prezantua rrejshëm si punonjës i AKI-së.
Sipas komunikatës hetimet për këtë rast kishin filluar në tetor dhe janë kryer nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar të mashtrimit të raportuar në tetor të këtij viti.
Ndërsa, i dyshuari D.N është arrestuar sot.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore dhe sigurimit të provave e dëshmive, sot është arrestuar personi D.N, i cili dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit, ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke i kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj personave që pretendojnë se mundësojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave dhe që rastet e tilla t’i raportojnë në Policinë e Kosovës./teve1.info/







