Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e një shtetasi suedez drejt Mbretërisë së Suedisë, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për përfshirje në vepra të rënda penale që lidhen me narkotikët.
Sipas njoftimit të Policisë, ekstradimi u realizua më 21 tetor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari kërkohej nga institucionet e drejtësisë suedeze, ndërsa procedura e ekstradimit u mundësua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Mbretërisë së Suedisë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe identifikimit dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit./teve1.info/







