Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar një skemë të re mbështetjeje për studentët që përballen me vështirësi për të paguar qiratë në Tiranë, për shkak të rritjes së çmimeve.
Gjatë fjalës së tij me drejtuesit e sistemit bankar, Rama deklaroi se qeveria do të mbulojë 50% të vlerës së qirasë për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Rama bëri të ditur se masa është pjesë e një pakete më të gjerë mbështetjeje, e cila synon të lehtësojë barrën financiare për të rinjtë.
Ai theksoi se ligji synon të mbështesë disa mijëra apartamente në vit në Tiranë, ku, sipas tij, sfida për përballimin e kostove të strehimit është edhe më e madhe.
“Ne kemi materializuar draftin, duke krijuar një qasje të re në raport me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar qiratë në Tiranë. Qeveria do të ndërhyjë për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që plotësojnë kushtet.
Nga ana tjetër, ka pjesë të tjera të ligjit që lidhen me mbështetjen me kredi me interes zero për çiftet e reja dhe kredi me interes 3% për ata që hapin iniciativat e tyre. Ky ligj sjell mbështetje për disa mijëra apartamente në vit në Tiranë, aty ku sfida është edhe më e madhe”, tha Rama.
Ai shtoi se qeveria do të rrisë gjithashtu buxhetin për politikat e punësimit të të rinjve, duke vënë në dispozicion financime për startup-et dhe iniciativa të tjera, me shtetin si garant, në kuadër të skemave të mbështetjes së sipërmarrjes./rtsh.al/










