Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, ka bërë të ditur se grupet e institucionit kanë monitoruar situatën në komisariate, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin e Traumës, pas protestës.
Sipas tij, në Bllokun e Sigurisë janë gjetur 118 persona, mes tyre gjashtë të mitur, ndërsa në Spitalin e Traumës janë konstatuar gjashtë protestues, njëri prej tyre i mitur.
Prençi njoftoi se janë administruar gjashtë ankesa për dhunë të pretenduar gjatë ndalimit dhe shoqërimit të protestuesve.
Ai shprehu shqetësim edhe për mbipopullimin në Bllokun e Sigurisë, ku kapaciteti zyrtar është 60 persona, si dhe për mbajtjen e të miturve në dhoma jo të veçanta dhe kufizimin e kontakteve me familjarët, avokatët dhe psikologët.
“Pamjet filmike janë shqetësuese për dhunën ndaj protestuesve, edhe pas neutralizimit të tyre. Po analizojmë pamjet dhe kemi marrë denoncime e ankesa edhe përmes telefonit. Çdo kufizim duhet të ketë bazë dhe të dokumentohet”, tha ai.
Komisioneri kërkoi nga policia ruajtjen e pamjeve filmike dhe paralajmëroi se rastet kur konstatohen shkelje ligjore do t’i referohen Prokurorisë.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e garantimit të së drejtës për tubim paqësor dhe përdorimit proporcional të forcës nga policia.
Institucioni po shqyrton edhe çështjet që lidhen me përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave plastikë dhe bazën ligjore për shoqërimin e personave.










