Philadelphia 76ers e ka nisur me fitore epokën e LeBron Jamesit, duke e mposhtur kampionin në fuqi të NBA-së, New York Knicks, me rezultat 106:100, në ndeshjen hapëse të sezonit të ri.
Në debutimin e 41-vjeçarit James me fanellën e Philadelphias, skuadra mysafire ia prishi festën New Yorkut, që para ndeshjes i pranoi unazat e kampionit dhe ngriti flamurin e titullit të fituar sezonin e kaluar.
Ylli i mbrëmjes për Philadelphian ishte Tyrese Maxey, i cili realizoi 28 pikë. Jaylen Brown, një tjetër përforcim i rëndësishëm i skuadrës, kontribuoi me 19 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërsa James e përfundoi ndeshjen me 14 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime.
Philadelphia e mori kontrollin e ndeshjes në çerekun e tretë, kur realizoi një seri prej 11 pikësh radhazi dhe krijoi epërsi që rezultoi vendimtare. Knicks tentuan të riktheheshin në lojë në çerekun e fundit, por nuk arritën ta përmbysnin rezultatin.
Te skuadra vendase, Jalen Brunson shënoi 21 pikë, ndërsa Karl-Anthony Towns shtoi 19 pikë dhe 12 kërcime. Megjithatë, efikasiteti i dobët në gjuajtje e pengoi New Yorkun ta niste me fitore mbrojtjen e titullit.
Fitorja shënon një fillim premtues për Philadelphian, e cila synon të luftojë për titullin me një skuadër të përforcuar nga ardhja e Jamesit dhe Brownit, përkrah Joel Embiidit dhe Maxeyt.










