Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, deklaron se partia e tij nuk do ta përkrahë buxhetin për vitin 2027 nëse propozimet e saj nuk merren parasysh dhe buxheti nuk është në interes të qytetarëve.
Zemaj thotë se prioritetet që LDK-ja synon t’i adresojë në buxhetin e vitit të ardhshëm përfshijnë arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, energjinë dhe sigurinë.
Ai kritikon Qeverinë për, siç është shprehur, keqmenaxhim të buxhetit, ngecje të projekteve kapitale dhe shpenzime të larta, i cili vlerëson se investimet nuk kanë sjellë ndryshimet e nevojshme në jetën e qytetarëve.
“E para është arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, energjia, dhe shumë gjëra të tjera që ndërlidhen me koston e lartë të jetesës, por edhe me keqmenaxhimin të cilin ka qenë te këtij buxheti aktual, përkundër rritjes së pretenduar e cila ka qenë në vitet e fundit. Këto prioritete janë në interes të qytetarëve, në eliminimin e shumë prej këtyre defekteve, por edhe krijimin e kushteve dhe një jetesë më të mirë. Mos flasim edhe për projektet kapitale që gjatë gjashtë viteve të fundit, pothuajse çdo projekt ka ngecur, ose është stërzgjatur, ose ka pasur probleme tenderomanie, pjesa e infrastrukturës, e tenderëve në shëndetësi edhe shumë tenderë që lidhen me koston më të lartë të shpenzimit te këtij buxheti”, thekson Zemaj.
Zemaj thekson se duhet të sigurohen kushte të përshtatshme për pjesëtarët e Policisë, duke përmendur mungesën e disa pajisjeve elementare.
“Ndërsa poenta tjetër që na takon të gjithëve është siguria. Investimet në sektorin e sigurisë, jo vetëm të Ushtrisë së Kosovës, por edhe të Policisë. Shpeshherë kemi parë edhe lajme, ka pasur edhe tema kur policët tanë janë përballur me mungesë edhe të kushteve elementare, qoftë edhe të veshmbathjes, qoftë edhe të çizmeve, qoftë edhe elementeve mbrojtëse, dhe sigurisë tjetër nacionale. Andaj këto janë disa tema të cilat do të duhet të ishin në vëmendjen buxhetore dhe në propozimin e ri buxhetor. Edhe pse vitin e kaluar është pretenduar që këto tema kanë investime korrekte, kjo nuk ka ndodhur, për shkak se qeveria aktuale më shumë ka qenë e interesuar në subvencionim të interesit të votës popullore dhe të shpenzimit të buxhetit sesa në investime kapitale dhe që ndryshojnë jetën e qytetarëve apo e zhvillojnë Republikën e Kosovës”, thotë Zemaj.
Ai kritikon gjithashtu numrin e tenderëve njëburimorë.
Ndërsa thotë se nëse nuk marrin parasysh propozimet e kësaj partie, nuk do e përkrahin buxhetin.
“Jo, asnjëherë. Nuk e përkrahim një buxhet i cili nuk është në interes të qytetarëve, por është në interes vetëm të partisë në pushtet dhe interesave të tyre selektive, qoftë në raport me komunat, qoftë në raport me qytetarin, po qoftë edhe në raport me shpenzimet buxhetore dhe të tenderëve njëburimorë. Mos të harrojmë se janë diku më shumë se 3 mijë tenderë njëburimorë nga qeveria Kurti”, nënvizon Zemaj.
Zemaj shprehet optimist që Projektbuxheti për vitin 2027 të mos procedohet me vonesë. Ai kritikon praktikat e viteve të kaluara, të cilat, sipas tij, u kanë lënë deputetëve pak kohë për shqyrtimin e tij dhe paraqitjen e propozimeve.
“Besoj që këta e sjellin vonë sepse është njëfarë loje e presionit që të kalojë buxheti, dhe ai interesimi i cili rritet edhe i qytetarëve, por edhe i tendencës që të vihen deputetët para një situate ku nuk mund të shqyrtojnë, nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme që ta shqyrtojnë në mënyrë adekuate dhe t’i japin propozimet e tyre. Edhe pse ne kemi pasur gjatë këtyre viteve propozime individuale edhe si deputetë, edhe si grupe politike, por asnjëherë asnjë nuk është përkrahur nga qeveria, bile-bile edhe me tendencën e refuzimit injorues që nuk do t’i takonte një partie demokratike edhe një partie e cila synon t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, thotë Zemaj./kp








