Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë konstatuar shkelje në rastin e ndërrimit të foshnjës në Spitalin Amerikan.
Sipas MSh-së janë evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna.
“Nga kontrolli i dokumenteve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA).Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Tëvë1.
Ministria ka bërë të ditur se për këtë Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë disa masa.
“Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar, Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim,Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, ka sqaruar MSh duke shprehur keqardhje për rastin.








