Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka shtuar kontrollet ndaj automjeteve, me qëllim të identifikimit të mjeteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike për qarkullim të sigurt në rrugë.
Sipas Policisë, kontrollet janë përqendruar veçanërisht te automjetet me modifikime të paautorizuara, si xhamat e errësuar, ndërhyrjet në sistemin e ndriçimit, sistemet e shkarkimit të gazrave dhe ato që shkaktojnë zhurmë të tepërt.
Në fokus janë edhe ndryshimet e tjera teknike që mund të ndikojnë në sigurinë e automjeteve dhe pjesëmarrjen e tyre në komunikacion.
Policia bën të ditur se automjetet në të cilat evidentohen parregullsi dërgohen për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, për të verifikuar nëse ato i plotësojnë kushtet e nevojshme për qarkullim.
Sipas njoftimit, gjatë këtij viti një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dërguar për këtë lloj kontrolli.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre, të shmangin ndërhyrjet e palejuara dhe të respektojnë dispozitat ligjore në fuqi./teve1.info/







