Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sonte në një konferencë për media u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve nëpër rrethe për mos bindje civile.
Sipas Berishës, “këtij regjimi të urryer do t’i dridhet toka nën këmbë”, raporton tch.
“Mos bindje civile është ndihma më e çmuar për studentët luftëtarë, për studentët dhe gjimnazistët, heronj të vërtetë. Ndërsa qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë. Edhe një herë, thirrja ime është të gjithë në këmbë për t’i dhënë ndëshkimin e merituar këtij regjimi të urryer të këtij vendi”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu i kërkoi dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.
“Njofto një minutë e më parë dorëheqjen. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes së denjë për një vend anëtar në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Kujtojmë, dita e pestë e protestave në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë, ndërsa janë raportuar të lënduar si mes protestuesve, ashtu edhe efektivëve.
Përplasjet më të ashpra u zhvilluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku protestuesit e maskuar hodhën në drejtim të efektivëve fishekzjarrë, molotovë dhe gurë. Policia ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
Protesta e kësaj të shtune shënon ditën e pestë të tubimeve që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit.









