Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ditës së tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, duke kritikuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ka krahasuar dëmet e shkaktuara gjatë protestave me pasojat e tërmetit, duke kujtuar rindërtimin e shtëpive për familjet e prekura nga fatkeqësia natyrore.
Kreu i qeverisë pretendoi se protestat nuk përfaqësojnë shqetësimet dhe kërkesat e studentëve, por sipas tij, janë nxitur nga forca politike që synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.
Rama kritikoi gjithashtu përfshirjen e të miturve në protesta dhe dëmtimin e trotuareve, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po zhvillohen tubimet.
“Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gremadhë? Kjo s’ka lidhje me studentët, flama nuk është studentore. Kjo s’ka të bëjë fare me hallet dhe me problemet apo me aspiratën për një vend më të mirë”, u shpreh Rama.
Ai akuzoi gjithashtu opozitën se, sipas tij, po nxit përplasjet dhe po përpiqet të pengojë përparimin e Shqipërisë.
Në fund të reagimit, kryeministri ngriti shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protesta, duke pyetur: “Si mund të nxiten të miturit në rrugë dhe të shkulin trotuare?”
Reagimi i Ramës vjen në ditën e tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë.










