E para e shtetit ka nisur mandatin e saj me disa takime të rëndësishme.
Kështu Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti të hënën në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.
Temë qendrore e takimit ishin raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësia e rinisjes së Dialogut Strategjik dypalësh.
Lidhur me këtë kërkesë të së parës së shtetit, kanë reaguar edhe zyrtarët amerikanë.
Në një përgjigje për tëvë1.info, nga një zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë është thënë se një nga kushtet është që Kosova t’i përmbushë zotimet e saj në lidhje me komunitetin serb.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim që Dialogu Strategjik me Kosovën të zhvillohet kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në lidhje me serbët e Kosovës”, kanë thënë nga Ambasada e SHBA-së në Kosovën.
Kjo përgjigje, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, lë të nënkuptohet se ka ende punë për t’u bërë.
“I bije që duhet të angazhohemi më shumë në fushën diplomatike e të marrim një përgjigje të re. Besoj që atë përgjigje mund ta marrim shumë shpejt për shkak se patëm edhe vizitën e senatorëve nga SHBA-të, të cilët u pajtuan me çështjen e BONDSTEEL si pikë strategjike e pikë të përhershme dhe poashtu nuk patën ndonjë kundërshtim sa i përket çështjes së dialogut strategjik dhe si i tillë besoj që kjo është faza fillestare që përbën një lloj rihapje të marrëdhënieve më SHBA-të, pas një faze të vështirë ku Kosova është dashur të plotësohet dhe disa procese të mbetura pezull me vite”, u shpreh Kuçi.
Sipas Kuçit, Kosova ka shumë përfitime nga rikthimi i dialogut strategjik.
“E fut Kosovën nën ombrellën e sigurisë Amerikane dhe e fut Kosovën në çështjen e sigurisë kibernetike, çështja të sigurisë së transporteve dhe shumë fusha të tjera ekonomike dhe kështu jep një perspektiv shumë më të fuqishme ndërkombëtare dhe rajonale”, theksoj tutje Kuçi.
SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovës për një kohë të pacaktuar në shtatorin e vitit 2025, për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e asokohe qeverisë në detyrë.










