Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy, të cilit i ka uruar suksese në detyrën e re.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, drejtësisë, infrastrukturës dhe energjisë.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës janë forcuar përmes bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar edhe mundësia e realizimit të projekteve të përbashkëta dhe rritjes së investimeve belge në Kosovë, ku si urë lidhëse ka përmendur edhe mërgatën kosovare.
Po ashtu, Kurti ka bërë të ditur se me ambasadorin Dusaucy kanë diskutuar për rrugën evropiane të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përparimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të vendit./teve1.info/







