Profesori Artan Nimani ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe beteja politike me BE-në për Gjykatën Speciale në Hagë duhet të jenë synimet e kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Duke komentuar takimet e presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka Pula, dhe kryeministrit Albin Kurti me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, Nimani ka theksuar rëndësinë e forcimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se rikthimi i dialogut strategjik me SHBA-në dhe mbështetja amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO janë çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.
“Kjo është parësore. Ne nuk kemi ndonjë orientim tjetër përveç SHBA-ve, prandaj qenësia jonë, jo vetëm e Kosovës, por e të gjithë shqiptarisë, është e lidhur dhe e përbashkuar me qëndrimet e SHBA-ve. Sa më shumë Amerikë në Kosovë, aq më shumë shqiptari në rajon”, ka deklaruar Nimani.
Profesori ka vlerësuar edhe kërkesën e Kurtit drejtuar senatorëve amerikanë për mbështetje në anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake amerikane.
Sipas Nimanit, prania e përhershme amerikane në Bondsteel do të ishte e mirëpritur, ndërsa ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në avancimin e integrimit euroatlantik dhe në çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Kurti ka bërë mirë që ka kërkuar këtë dhe do të duhej që tash urgjentisht të fokusohet në këto dy tema që kanë mbetur: anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe beteja politike me BE-në për Gjykatën Speciale në Hagë”, ka deklaruar Nimani./teve1.info/







