Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka ftuar për vizitë në Kosovë, përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO,Matthew Whitaker.
Në takimin që ka zhvilluar me Whitaker, Maqedonci ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri kryesor i zhvillimit të kapacitete mbrojtëse të Kosovës.
“E ftova Ambasadorin Whitaker që të vizitojë Kosovën, për të vazhduar dialogun dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë. Partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes.
Ai tha se Whitaker shprehu mbështetjen për rrugëtimin e Kosovës për integrimin në NATO dhe vazhdimin e mbështetjes amerikane për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës duke theksuar se ka shprehur nevojën për mbështetjen e ShBA-së në këtë proces.
Maqedonci poashtu ka bërë të ditur se në këtë takim ka shprehur interesin e Kosovës për bashkëpunim “sipas parimit të ndarjes së përgjegjësive, përfshirë në kampin Bondsteel dhe në Aeroportin e Gjakovës”.
“Bashkëpunimi ynë po zgjerohet edhe në fushat e prokurimeve ushtarake dhe të industrisë së mbrojtjes. Diskutuam për zhvillimin e kapaciteteve tona, përfshirë sistemet e blera nga SHBA-ja dhe procedurat e nisura për blerjen e helikopterëve Black HaWk. Po ashtu, theksova rëndësinë e mbështetjes për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes, në Kosovë”, ka shkruar Maqedonci.







