Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar 27-vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke kujtuar kontributin e saj në proceset e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Përmes një mesazhi, Hamza ka thënë se PDK-ja u themelua në frymën e rezistencës, në një periudhë kur, sipas tij, Kosovës i nevojiteshin guximi, vizioni dhe përkushtimi.
Ai ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke i cilësuar si figura të lidhura me rrugëtimin politik të partisë.
“Sot mbushim 27 vjet dhe përgjegjësia jonë është ta ruajmë trashëgiminë politike dhe ta vazhdojmë angazhimin për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët e saj”, ka shkruar Hamza.
Kreu i PDK-së ka theksuar se partia duhet të vazhdojë angazhimin për të ardhmen e vendit, duke u shprehur krenar për të kaluarën dhe duke bërë thirrje për unitet në të tashmen.
“Jemi krenarë për të kaluarën. Qëndrojmë të bashkuar në të tashmen. Dhe punojmë me përgjegjësi për të ardhmen e brezave që vijnë”, ka deklaruar ai.
Në fund të mesazhit, Hamza ka uruar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për 27-vjetorin e themelimit të partisë./teve1.info/







