Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti, duke e akuzuar për bllokim të projekteve të nisura nga Komuna e Prishtinës.
Ai përmes një reagimi në Facebook ka përmendur disa projekte për të cilat pretendon se janë penguar, përfshirë rrugën “Jim Xhema”, sheshin “Xhorxh Bush”, Ishullin Urban, nënkalimin “Agim Ramadani” dhe sheshin “Qamil Hoxha”.
Reagimi i tij vjen edhe pas zhvillimeve rreth muralit në nderim të Nënë Terezës, vendosja e të cilit, sipas tij, është penguar në prag të përurimit të planifikuar për 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit.
“Bollni mo me bllokada! Bollni mo me inate! Kryeministër, nuk ju kanë votu qytetarët e Kryeqytetit! Shkurt e shqip! Boll i dënove qytetarët”, ka shkruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se për këtë çështje do të mbajë konferencë për media të shtunën, në orën 09:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Ai ka pretenduar se secili projekt i nisur nga Komuna është përballur me përpjekje për bllokim nga ana e Qeverisë.







