Në punën e tyre të përditshme, stomatologët shohin se sa shumë mund të ndryshojë jetën e një njeriu kujdesi stomatologjik, teksa shëndeti oral është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm.
Kështu tha kryeministri Albin Kurti sot në hapje të Kongresit XI Mbarëkombëtar të Stomatologjisë, i cili këtë vit po mbahet me temën “Stomatologjia bashkëkohore: Avancimi i shëndetit oral përmes shkencës, praktikës klinike dhe inovacionit”, raporton KP.
Pasi shprehu kënaqësinë për hapjen e këtij kongresi, kryeministri Kurti tha se me hapjen e tetë poliklinikave të reja stomatologjike në gjithë vendin tonë, synojnë që qytetarët ta marrin kujdesin specialistik sa më afër vendbanimit të tyre.
Ai tha se hapi i radhës është funksionalizimi i këtyre poliklinikave në objektet ekzistuese dhe ndërtimi i objekteve të reja ku ato mungojnë.
Kryeministri Kurti njoftoi se janë përfunduar procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, e cila do të krijojë kushte më të mira për trajtimin e pacientëve dhe punën e profesionistëve.
“Si qendër universitare, ajo ka një përgjegjësi të veçantë për mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Investimi në të është investim në dijen dhe aftësinë e brezave që do ta zhvillojnë më tej shëndetësinë tonë. Stomatologjia është kujdes dhe shërbim, është profesion dhe shkencë. Pacientët përfitojnë kur praktika klinike, arsimi dhe kërkimi shkencor ecin së bashku”, tha Kurti.
Kongresi XI Mbarëkombëtar i Stomatologjisë, organizuar nga Shoqata e Stomatologëve të Kosovës, do të vazhdoj֝ë edhe nesër.







